Lajme Shqip Saturday, 03 December 2011 13:30

Teheran – Një grup diplomatësh iranianë që u dëbuan nga Britania e Madhe kanë mbërritur në Teheran, raportojnë mediat iraniane.

Një grup mbështetësish që bërtisnin parulla të tipit “Vdekje Britanisë” ishin mbledhur në aeroport për t’i përshëndetur, por diplomatët u shoqëruan në korridore të veçanta për të dalë nga një hyrje tjetër.

Njëzet e pesë diplomatë u dëbuan pasi qindra protestues sulmuan të martën ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Teheran. Zyrtarët britanikë kanë deklaruar se ka gjasa që sulmi të ketë pasëur mbështetjen e liderëve iranianë.

Ai erdhi pasi Britania e Madhe ndërmori sanksione të reja ndaj Iranit, duke ndaluar transaksionet financiare me këtë vend, përfshirë ato për bankën qëndrore të tij.

Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja miratuan gjithashtu masa të ngjashme. Ndërkohë, BE ka përforcuar sanksionet pas raportit të agjencisë së OKB-së që thoshte se Irani ka kryer teste të rëndësishme për prodhimin e armëve bërthamore.

Nga ana e tij, Teherani zyrtar i mohon këto akuza, duke deklaruar se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Ditën e premte ambasadori britanik në Teheran, Dominik Chilcott deklaroi se, ata që mbështetën idenë për t’u përplasur me Britaninë do të pendohen nga reagimi i Londrës.