Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 11:24

Londër – Kryeqyteti britanik mbrëmë përjetoi shpërthim të vërtetë nga dhuna rrugore dhe vjedhjet masive në dyqanet e sulmuara dhe të thyera, në ditën e tretë të trazirave dhe djegieve në 12 lagje dhe kuarte.

Policia e cila premtonte kthim të rendit dhe paqes në rrugë, nuk arriti të ballafaqohet me bandat e dhunuesve të rinj, të cilët, duke komunikuar përmes telefonave celularë dhe përmes rrjetit të internetit, shpejtë merren vesh që të transferohen nga një lokacion në një tjetër, duke bërë menjëherë barrikada, ndërsa pastaj duke u rrahur me policinë, duke i thyer vitrinat dhe duke shkaktuar zjarre.

Shërbimet zjarrfikëse nuk arritën shpejtë të intervenojnë, e ndërtesat e djegura, kryesisht objekte afariste, në të cilat janë të vendosura dyqane të ndryshme, janë lënë që tërësisht të digjen.

Disa ndërtesa në lagjen jugperëndimore Krojdon, mbrëmë tërësisht janë djegur nga zjarret e vëna, ndërsa zjarre ka pasur edhe në kuartet Pekam, Luisam dhe Hakni. Sulmet pastaj janë transferuar në lagjen e madhe londineze Klapam Xhanksan, ku në qendër rreth 200 të rinj, me fytyra të mbuluara, disa orë janë rebeluar, duke shkaktuar dëm të madh material, duke shkatërruar dhjetëra dyqane dhe duke i vjedhur shtëpitë e mallrave që u janë gjendur në rrugë.

Më vonë, trazira rrugore dhe vjedhje, kishte në më shumë kuarte të tjera, në të gjitha katër anët e qytetit, në vëllim dhe me intensitet i cili nuk mbahet mend. Deri tani nuk është vërejtur që në vetëm tre netë të sulmohen jo më pak se 20 lagje dhe kuarte të qytetit.

Trazirat në Klapam Xhanksan, lagje përmes të cilës kalon lidhja hekurudhore dhe rrugore, që e lidh jugperëndimin e Londrës, me qendrën e saj dhe me lagjet e anës lindore, shkaktoi bllokim dhe ndërprerje të qarkullimit urban. Disa orë u ndërpre lidhja hekurudhore përmes stacionit në këtë lagje, përmes së cilës kalojnë edhe trenat për aeroportin Getuik.

Autobusët urbanë ishin të detyruar të ndalen ose të shkojnë përmes ndonjë traseje tjetër, nga frika se dhunuesit rrugorë do të munden që fillimisht të rrëmbejnë autobus, siç këtë e bënë në trazirat e para në Totenhem dhe ta djegin.

Dëshmitarë okularë njoftojnë se të gjitha lagjet dhe kuartet që mbrëmë janë sulmuar, u ngjajnë zonave luftarake. Banorët e disa prej këtyre lagjeve janë lajmëruar gjatë natës në studiot televizive që të paralajmërojnë se dhunuesit për herë të parë sulmojnë edhe objekte banesore, si dhe se kanë hyrë me dhunë në banesa dhe shtëpi me qëllim që t’i grabisin. Ata janë ankuar se “nuk ka mjaft polic” dhe se janë të lënë në mëshirën dhe pamëshirën e bandave kriminele.

Tani për tani nuk ka njoftim për të lënduar, por për herë të parë njoftohet se në Krojdon është plagosur një person.

Arsyeja e parë për trazirat rrugore, vrasja e një të riu me ngjyrë, i cili javën e kaluar është vrarë nga policia, në rrethana ende të pazbardhura, u braktis, madje tani dhuna shpjegohet me pakënaqësinë sociale, posaçërisht të të rinjve nga komuniteti me ngjyrë, me padrejtësinë shoqërore ndaj të rinjve nga shtresat më të ulta, si dhe me përqindjen e madhe të papunësisë dhe mosperspektiva për gjeneratën e re.

Mediat londineze janë të befasuara nga ajo që po i ndodh kryeqytetit, madje “Times” vëren se policia ua dorëzoi rrugët bandave të të rinjve, “Daily Mail” shkruan për anarkinë që mbisundon në qytet, ndërsa “Guardian” pohon se po zhvillohet betejë për Londrën. (LajmeShqip.com)