Lajme Shqip Wednesday, 10 August 2011 08:58

Londër – Dhuna që filloi të shtunën në kryeqytetin britanik pas vrasjes së një burri 29-vjeç nga ana e policisë, në mënyrë zinxhirore po përhapet nëpër Britaninë e Madhe, kështu që pas Londrës, Birmingamit, Liverpulit, dhe Bristolit natën e kaluar i përfshiu edhe Vulverhemptonin, Uest Bromuiçin, Mançesterin, Notingemin dhe Lutonin.

Raportohet se dhuna më e madhe që ka ndodhur gjatë natës së kaluar të ketë ndodhur në Mançester, qyteti i tretë më i madh në Britani.  Thuhet se bandat e të rinjëve kanë plaçkitur dyqane, janë përleshur me policinë dhe kanë vënë zjarre.

Një zyrtar i lartë i policisë së Mançesterit, deklaroi se grabitjet dhe zjarrvëniet kishin ndodhur në qytet në atë që ai e përshkroi si një shkallë të paparë.

Ai i ka denoncuar protestuesit, duke thënë se dhuna e tyre duket të jetë e motivuar kryesisht nga kriminelet e thjeshtë.

Mediat evropiane thonë se policia në gjithë Britaninë ka bërë më shumë se 1.100 arrestime që nga vala e dhunës e cila ka nisur të shtunën.