Lajme Shqip Thursday, 02 August 2012 21:20

Damask – Kofi Annan ka dhënë dorëheqjen si i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe për Sirinë pas dështimit për vendosjen e paqes në Siri. Pavarësisht përpjekjeve të tij të shumta, në qytetet siriane vijuan luftimet mes forcave qeveritare dhe kryengritësve.

Plani prej gjashtë pikash i Kofi Annan nuk u zbatua asnjëherë ndërsa aktet e dhunës vetëm sa u intensifikuan, duke u përshkallëzuar edhe në qytete të tjera si Aleppo.
Aktivistët sirianë thanë se gjatë bastisjes së kryer nga forcat qeveritare në një pjesë të Damaskut vetëm sot janë vrarë 35 njerëz dhe se një pjesë e konsiderueshme e tyre është torturuar paraprakisht.

Organizata vëzhguese e të drejtave të njeriut në Siri tha se forcat e regjimit hynë në qarkun jug-perëndimor, Xhadet Artuz, dhe “arrestuan 100 të rinj që ishin sjellë në shkollë për t’u torturuar”. Banorët thanë se para largimit nga qyteti forcat qeveritare lanë prapa një numër të madh trupash të pajetë në rrugët dhe shtëpitë e qytetit.

Televizioni shtetëror, ndërkaq, njoftoi se “dhjetëra terroristë dhe mercenarë janë dorëzuar ose vrarë” në Xhadet Artuz. (LajmeShqip.com)