Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 07:50

Baltasar Garzon, ish-gjykatësi spanjoll që u bë i famshëm për nxjerrjen e mandat-arrestit për ish-presidentin e Kilit, Augusto Pinochet dhe për hetimin e krimeve kundër njerëzimit gjatë regjimit të Frankos, mbrohet nga vetëm 1 truprojë.

Ish-gjyqtari që kur dha urdhërin për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, që mund të ishin kryer gjatë dhe pas luftës civile nga e djathta ektremiste spanjolle, mbrohej nga 18 truproje për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme që i adresoheshin personit dhe familjes së tij.

Por hetimet e nisura prej tij, shpejt u kthyen në akuza kundër tij. Aktivistë dhe mbrojtës të së djathtës spanjolle ngritën dyshime ndaj hetimet dhe paditën Garzon për korrupsion dhe mashtrim me provat.

Në 9 shkurt të këtij viti, gjykata e lartë në Spanjë e shpalli atë fajtor për akuzën e blerjes së dëshmitarëve dhe ndikim të paligjshëm për dhënien e dëshmive të rreme dhe e dënoi me 11 vjet pezullim nga detyra e juristit.

Pak ditë më vonë, akuzat e ngritura kundër tij për mashtrim dhe korrupsion u rrëzuan për disa “teknikalitete” dhe dënimi u dha për “tejkalim të autoritetit që i njihte ligji në kohën kur ishte gjyqtar”.

Por Baltasar Garzon, i shndërruar tashmë në figurën më të përfolur në Spanjë, deklaroi se çdo akuzë e ngritur kundër tij ishte një sajesë për ta detyruar të ndalë hetimet për krimet e kryera nga regjimi i Frankos. Ai tha se ka ndërmend të apelojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e dhënë nga gjykata e lartë spanjolle.