Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 08:46

Shkup – Të gjithë shqiptarët e akuzuar për incidentin në Kalanë e Shkupit do të shpallen fajtorë dhe do të dënohen me kusht.

Burime brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se të akuzuarit për incidentin e 13 shkurtit do të dënohen me kusht, ashtu që që brenda një viti të mos e përsërisin të njëjtin gabim. Rreth 30 shqiptarë, mes tyre Artan Grubi, ish-kryetar i Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”, Skënder Hasani, kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, Omer Bunjaku, kryetar i tifozëve, Ismail Krifca, nënkryetar i “Zgjohu”- t, dhe anëtarë të tjerë të organizatave joqeveritare shqiptare, akuzohen për pjesëmarrje në turmë dhe pengim të policisë që të kryejë punën e vet.

Paditë e ngritura ndaj anëtarëve të shoqatave joqeveritare shqiptare u cilësuan si përndjekje klasike e shoqërisë civile. Gjatë marrjes në pyetje ata më tepër ishin pyetur për origjinën e tyre dhe origjinën e prindërve të tyre, sesa për atë që ndodhi më 13 shkurt.

Të akuzuarit akoma nuk janë informuar, ndërkaq pak javë pas incidentit edhe zëri i shoqërisë civile shqiptare nisi të shuhet.

Më 13 shkurt në Kalanë e Shkupit u përleshën një grup shqiptarësh dhe një grup maqedonasish. Incidentit të 13 shkurtit në Kalanë e Shkupit i parapriu ndërtimi dhe prishja natën e Kishës në Kalanë e Shkupit. Policia deri më tani nuk është marrë me këtë çështje. Që nga 13 shkurti, Kalaja e Shkupit është e mbyllur për qytetarët dhe turistët, ndërsa drejtoria për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka paralajmëruar ndërtimin e tre muzeve në Kalanë e Shkupit. (LajmeShqip.com)