Lajme Shqip Friday, 23 March 2012 10:30

Los Anxhelos – Pajisjet e reja tablet “iPad” të kompanisë amerikane “Apple” sot hynë në shitje edhe në 25 vende të tjera të botës.

Pikërisht, para një jave brezi i tretë i pajisjeve të teknologjisë së lartë u prezantua në tregjet e SHBA-së dhe në nëntë vende të tjera, ndërkohë që “Apple”, në tre ditët e para shiti 3 milionë kopje.

Nga sot “iPad” i ri do të shitet në tregjet në Austri, Belgjikë, Bullgari, Republikën Çeke, Danimarkë, Finlandë, Greqi, Hungari, Islandë, Irlandë, Itali, Lihtenshtajn, Luksemburg, Macau, Meksikë, Holandë, Zelandë e Re, Norvegji, Poloni, Portugali, Rumani, Sllovakia, Slloveni, Spanjë dhe Suedi.

Shumë përdorues të tabletave të reja janë ankuar se ato nxehen shpejt. Sipas testeve të kryera, “iPad”-i i ri nxehet deri në 47 gradë Celsius, pas 45 minutave të përdorimit intensiv, siç janë aplikimet e lojërave që përdorin më shumë burime. Në kushte të tilla të përdorimit “iPad2” nxehet vetëm deri në 39 gradë Celsius.

Sipas përfaqësuesit të “Apple”, pajisja e re “iPad” i përgjigjet plotësisht kërkesave të temperaturave. Megjithatë, në faqen zyrtare të kompanisë theksohet se shtrirja normale e tableteve gjatë punës është nga zero deri në 35 gradë Celsius.