Lajme Shqip Saturday, 24 November 2012 13:38

Preshevë – Liderët e partive shqiptarë në Luginën Preshevës thonë se memoriali i vendosur për anëtaret e UÇPMB-së nuk paraqet provokim. Të njëjtit, deklaratën e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, Ivica Daçiq, për heqje të memorialit, i kanë quajtur si kërcënuese dhe skandaloze.

Ditë më parë, Daçiq ka thënë se vendosja e pllakës memorialë për anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc (UPÇMB), në qendër të Preshevës, përfaqëson një provokim të panevojshëm dhe shteti duhet të reagoj. Kryeministri Daçiq i ka këshilluar ata që e kanë vendosur ate që ta largojnë vetë.

Sidoqoftë, liderët e partive politike shqiptarë në Luginë të Preshevës, kanë thënë se ky monument përfaqëson një akt për vëmendje dhe kujtim për shqiptarët e rijnë të cilët kanë vdekur në vitin 2001.

Drejtuesit e Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë kanë thënë se të gjithë ata që kanë vdekur në vitin 2001 kanë qenë fëmijë të dikujt dhe ata e meritojnë që emrat e tyre të mos harrohen.

Nënkryetari i kësaj partie, Nexhat Behluli për “Tanjug” ka apeluar për gjakftohësi në këto momente. Sipas tij, nuk është momenti i duhur që të prodhohen problemet.

“Pas vitit 2001, dhjetëra monumente përkujtimore janë ngritur për ushtarët e UÇPMB-së. Vetëm tani posa është ngritur një përkujtimore. Unë nuk shoh asnjë arsyeje pse monumenti përkujtimor në Preshevë të shkaktoj kësi reagimi”, ka thënë Behluli.

Lideri i Unionit Demokratik në Luginën e Preshevës, Skender Destani ka thënë se ai nuk është i befasuar nga deklaratë Daçiqit, pasi pret gjithçka nga ai.

“Deklarata e Daçiqit është skandaloze, kërcënuese dhe turpëruese. Kjo nuk është një deklaratë që duhet të vie nga një kryeministër. Nëse të gjithë ushtarët e ish-UÇPMB-së janë në liri, çfarë të drejte ka ai të na kërcënoj në këtë mënyrë”, ka thënë Destani.

Edhe lideri i Unionit Demokratik të shqiptarëve, Rrahim Zulfiu, ka thënë se nuk e ka pritur mirë një reagim të tillë nga Daçiq.

Të premten e kaluar në Preshevë është bërë zbulimi i memorialit që përmban emrat e 27 luftëtarëve të UÇPMB-së të cilët ishin vrarë gjatë konfliktit atje. (G.E/LajmeShqip.com)