Lajme Shqip Monday, 03 December 2012 10:40

Prevezë – Kultivuesit e ullirit në Prevezë dëbojnë punëtorët shqiptarë nga pronat e tyre, pas deklaratës së kryeministrit Berisha, i cili e përfshiu Prevezën në territoret shqiptare. 

Sipas mediave greke, ky ishte reagimi i menjëhershëm i disa pronarëve të plantacioneve me ullinj në Prevezë, të cilët i quajnë “provokime”, deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë. 

Prodhuesit e vajit të ullirit në këtë rajon dëbuan punëtorët shqiptarë nga pronat dhe bizneset e tyre në shenjë proteste, duke sqaruar se “nuk kanë asgjë me njerëzit, por e shohin të arsyeshme të ndërmarrin këtë veprim, për shkak se e konsiderojnë veten të prekur nga deklarata e kryeministrit Sali Berisha, që e paraqiti vendin e tyre si territor shqiptar”. 

Siç dihet tashmë, më 27 nëntor në Vlorë, kryeministri Berisha foli për Shqipërinë nga Preveza në Podgoricë, duke sqaruar më vonë se deklarata ishte e vendosur në kontekstin e 100 viteve më parë. 

Ky është reagimi më i fundit që vjen nga vendi fqinj, pas anulimit të vizitës së ministrit grek Avramopulos dhe deklaratës së këtij të fundit, se “liderët politikë duhet të shohin 100 vjet përpara dhe jo 100 vjet prapa”. Reagime të ashpra pati edhe nga shumë parti politike greke dhe shtypi vendas.(LajmeShqip.com)