Lajme Shqip Thursday, 06 December 2012 16:38

Athinë – Nacionalizmi në rajon, deklaratat e Tiranës zyrtare, premtimi i Berishës për dhënien e shtetësisë gjithë shqiptarëve, Kosova dhe Maqedonia ishin objekt i konferencës për shtyp, që zhvilloi zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke. 

Në kontekstin e deklaratave të fundit, Delavekuras nxori në pah si pozitiv, qëndrimin e Presidentit të Shqipërisë, z.Bujar Nishani, ndërsa tërhoqi vëmendjen se në rajonin tonë duhet të jemi shumë të kujdesshëm. “Kohët e fundit nacionalizmi është shtuar së tepërmi në rajonin e Ballkanit, i cili ka vuajtur mjaft prej tij dhe e ka paguar shtrenjt. Sjelljet dhe veprimet nacionaliste dhe irredentiste janë të rrezikshme, ndaj është thelbësore që të mos lejojmë rritjen e tyre”, deklaroi Delavekuras. 

“Ne duam që ta sjellim rajonin tonë më afër standardeve evropiane. Kjo është në në interes të Shqipërisë e të popullit shqiptar, të cilin Greqia e ka mbështetur gjithë këto vite, por të jetë e qartë, se nga ana jonë nuk do të tolerohet asnjë lëvizje nacionaliste, që e kthen rajonin tonë mbrapa. Ne duhet të shikojmë përpara dhe të punojnë së bashku për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane”, tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke. 

Lidhur me premtimin e Berishës për nënshtetësi shqiptare gjithë atyre që e dëshirojnë, Delavekuras u shpreh se Athina nuk e njeh në detaje këtë iniciativë, por theksoi se ka rëndësi mënyra sesi do të zbatohet, në pajtueshmëri me detyrimet e Shqipërisë dhe me pozicionin e saj si kandidate për integrimin në BE. 

I pyetur mbi qëndrimin e Greqisë për Kosovën, Delavekuras tha se bisedimet Prishtinë-Beograd po sjellin rezultat dhe ato duhet të vazhdojnë. “Greqia ndjek rrugën diplomatike dhe është nxitëse e dialogut, pasi pozita e gjithë rajonit është në BE, në familjen evropiane” 

Sa i përket çështjes së emrit të Maqedonisë, Delavekuras tha se Greqia ka vullnetin politik dhe merr iniciativa për zgjidhje, por Shkupi nuk iu përgjigjet atyre. Ai theksoi se termi “Maqedoni” apo “maqedonas” nuk duhet të përdoret në forumet ku merr pjesë Greqia.(LajmeShqip.com)