Lajme Shqip Tuesday, 27 August 2013 16:43

Damask – Ministri sirian i Punëve të Jashtme, Walid Mouallem, tha sot se vendi i tij do të mbrohej në rast sulmi nga perëndimorët, dhe se kishte në dispozicion mjete mbrojtjeje që do të befasonin botën.

“Jemi përballë dy alternativave, ose të dorëzohemi, ose të mbrohemi me mjetet që kemi në dispozicion. Alternativa e dytë është ajo e duhura, ne do të mbrohemi”, deklaroi ai gjatë një konference shtypi në Damask.

“Të sulmosh Sirinë nuk është gjë e vogël. Ne kemi mjete mbrojtjeje që do t’i habisin të gjithë “, shtoi Mouallem.

“Ne po dëgjojmë alarmin e luftës rreth nesh. Nëse ata duan të ndërmarrin një sulm ndaj Sirisë, mendoj se alibia e armëve kimike nuk është ajo e duhura. I sfidoj të më tregojnë provat që zotërojnë”, nënvizoi shefi i diplomacisë siriane duke iu referuar perëndimorëve.

“Informacionet e shpërndara nga administrata amerikane për përdorim armësh kimike janë të rreme”, nënvizoi ai.

Rusia paralajmëron pasoja katastrofike nëse ndërhyhet në Siri

Rusia paralajmëron se një sulm mbi Siri do të kishte pasoja katastrofike. Për Rusinë përpjekjet për të anashkaluar Këshillin e Sigurimit të OKB-së për herë të njëqindtë krijojnë pretekste artificiale të pabazuara për ndërhyrje ushtarake në rajon.

Deklarata erdhi nga ministria e Jashtme ruse nëpërmjet zëdhënësit të saj, Alexandër Lukashevich, i cili theksoi se pasojat katastrofike do të ishin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Edhe një ditë më parë, shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov u shpreh kundër një ndërhyrjeje në Siri. /BW/