Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 06:55

Damask – Mijëra njerëz kanë demonstruar dje në qytetet në mbarë Sirinë, duke kërkuar liri politike dhe duke kundërshtuar shtypjen e protestave nga qeveria.

Dëshmitarët, aktivistët e opozitës dhe të së drejtave të njeriut kenë thënë se protesta u mbajtën në një paralagje të Damaskut, në qytetin qendror Homs, në qytetin bregdetar Banias dhe në Sirinë lindore.

Një dëshmitar okular tha se forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve në qytetin bregdetar Latakia.

Më shumë se 500 njerëz vlerësohet të jenë vrarë në protestat kundër presidentit Bashar al-Asad që filluan gjashtë javë më parë dhe u frymëzuan nga kryengritjet popullore në botën arabe.

Aktivistët sot kanë bërë thirrje për “Ditën e Zemërimit”.

Në Gjenevë sot takohet Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, ndërsa në Bruksel zyrtarët e Bashkimit Evropian pritet të diskutojnë vendosjen e sanksioneve ndaj Sirisë.