Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 21:25

Damask – Forcat siriane të sigurisë sot vranë të paktën 13 demonstrues në qytetin jugor Deraa, deklaruan disa dëshmitarë okularë.

Dhjetëra persona janë plagosur, ndërsa në spitalin lokal ka mungesë të krevateve për të pësuarit dhe disa prej tyre mjekohen në dysheme.

Demonstruesit e dogjën ndërtesën e partisë qeveritare Baas në Deraa. Ata gjithashtu çrrënjosën statuja të Bazil al Asadit, vëllait të ndjerë të presidentit, Bashar al Asad.

Mijëra persona u mblodhën në protestën në Deraa pas lutjes të së premtes, për ta shprehur pakënaqësinë e tyre nga regjimi autoritar i presidentit Bashar al Asad. Forcat e sigurimit hapën zjarr me municion mbi demonstruesit.

Sipas mediave shtetërore siriane, “vandalë” hapën zjarr ndaj demonstruesve dhe forcave të sigurimit, me ç’rast u vra një polic dhe shoferi i ndihmës së shpejtë, ndërsa dhjetëra persona janë plagosur.

Protestat kundër regjimit, të cilat filluan në Siri muajin e kaluar, për herë të parë janë mbajtur pikërisht në Deraa. Dhjetëra persona janë vrarë që nga fillimi i demonstratave.

Protesta janë mbajtur sot edhe në qytetin qendror perëndimor Hims, guvernatori i të cilit është zgjidhur dje nga presidenti, si dhe në periferinë e Damaskut, Harasta, prej nga u dëgjuan të shtëna.

Rreth tre mijë persona demonstruan sot në pesë vende të banuara në Sirinë veriore në rajon kryesisht me popullsi kurdë. Ata brohorisnin parulla për heqje të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është në fuqi tani më gjysmë shekulli, për tejkalimin e ndarjeve etnike dhe për lirimin e të burgosurve politikë.