Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 20:24

Beograd-Ministri i brendshëm i Serbisë Ivica Daçiç ka deklaruar sot se çështja e diskutimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë ka marrë fund.

Sipas tij ka patur presion nga komuniteti ndërkombëtar për të mos mbajtur zgjedhjet në Kosovë, por se Serbia do të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë në 13 vitet e fundit.

“Serbia absolutisht nuk do të flasë nëse duhet apo jo të mbajë zgjedhjet në Kosovë. Deri tani zgjedhjet janë mbajtur në 12-13 vitet e fundit dhe nuk e kuptoj se pse duhet ti diskutojmë tani”-ka thënë Daçiç, i cituar nga B92.

Duke komentuar deklaratën e raportuesit për Serbinë në Parlamentin Europian se do të ishte problem që Serbia të mbajë zgjedhjet në Kosovë, ministri i brendshëm serb vuri në dukje se kjo çështje nuk i takon aspak Kacin.

“Shteti ynë nuk do të pyesë askënd nga jashtë nëse duhet apo jot ë mbajë zgjedhjet në Kosovë. Serbia është një shtet sovraniteti i së cilit duhet të respektohet  ndërsa Kosova nuk është një shtet dhe nuk njihet nga OKB”-ka përfunduar Daçiç. (LajmeShqip.com)