Lajme Shqip Saturday, 22 September 2012 08:02

Beograd – Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se Brukseli nuk mund ta detyrojë Serbinë që të pranojë pavarësinë e Kosovës, dhe se ndarjen e saj e sheh si të vetmen zgjidhje të mundshme dhe reale.

“Mendoj se ndarja e Kosovës është zgjidhja e vetme reale dhe jam i sigurt se atë do ta pranonin edhe shqiptarët në Prishtinë. Mirëpo, shtrohet pyetja nëse një gjë e tillë mund të shkaktojë protesta në rajon”, ka thënë Dacic, raporton Rel.

“Në këtë fazë është e pranueshme gjithçka që nuk është pranim i pavarësisë së njëanshme të Kosovës. Brukseli nuk mund të na detyrojë të njohim pavarësinë e saj”, ka thënë Dacic, duke shtuar se “Kosovën nuk e kanë pranuar as pesë vende të Bashkimit Evropian”.

Sipas tij, tani duhet të çtensionohen marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe deri në anëtarësimin e kësaj të fundit në BE, duhet të gjenden zgjidhje të qëndrueshme, që nuk nënkuptojnë njohje.(LajmeShqip.com)