Lajme Shqip Monday, 23 April 2012 13:10

Ankara – Turqia ka vënë veton ndaj pjesëmarrjes së Izraelit në takimin e kreut të NATO-s në Çikago, që do të mbajet më 20 dhe 21 maj, shkruan gazeta “Radikal”.

Vendimi, është deklaruar nga ministri turk i Punëve të Jashtme, Ahmet Davutogllu në takimin e shefave të diplomacive të vendeve-anëtare të NATO-s.

Sipas gazetës “Hyriet dejli njuz”, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë takim e kritikuan moslejimin e Izraelit për të marrë pjesë në forumin në Çikago, pa e pëmendur konkretisht Turqinë. Disa prej ministrave paralajmëruan se nuk duhet që problemet e ndërsjellta të Turqisë dhe Izraelit të mbarten në Aleancë. Vitin e kaluar Turqia nuk lejoi emërimin e një përfaqësuesi diplomat izraelit në NATO.

Gazeta “Radikal” citon një funksionar të lartë nga MPJ e Turqisë, i cili ka theksuar se vendet të cilat dëshirojnë që Turqia t’i përmirësojë marrëdhëniet me Izraelin, duhet ta përkujtojnë Tel Avivin se së pari duhet t’i kërkojë falje Ankarasë për sulmin në anijen “Mavi Marmara”, me ç’rast u vranë nëntë punonjës humanitar turq, si dhe t’u paguhet dëmshpërblimi familjeve të viktimave. (LajmeShqip.com)