Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 12:29

Në kuadër të ambasadës së SHBA-së në Beograd, që po ndërtohet në vendin e dikurshëm të Marshallatit në lagjen prestigjioze Dedinje, do të vendoset edhe qendra rajonale e CIA-s për Ballkanin, shkruajnë disa portale serbe, duke shtuar se kompleksi shtrihet në mbi 40 000 metra katrorë, përbëhet nga shtatë objekte, do të punësojë madje 400 punëtorë, kurse projekti është i vlefshëm 117 milionë dollarë.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë nuk dyshojnë aspak se këtu do të vendoset edhe selia e agjencisë informative amerikane për këtë pjesë të Evropës.

“Amerikanët kanë përzgjedhur Serbinë dhe Beogradin për arsye se bëhet fjalë për një vend vëzhgues gjeostrategjik të shkëlqyeshëm. Serbia është në vend ideal edhe sa i përket Adriatikut e edhe Evropës lindore”, vlerësoi ish-profesori për strategji, gjenerali  Radovan Radinoviq, dhe shton se për arsye të këtij qëllimi aty do të instalohen pajisjet më moderne për spiunim.

Hapja solemne është në plan të bëhet vitin e ardhshëm, kurse autoritetet serbe në Beograd krenohen me faktin se e tërë procedura e dhënies së lejes ndërtimore ka zgjatur vetëm dy muaj, që konsiderohet rekord për Serbinë.