Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 16:02

Uashington – Gjatë muajit shtator, Izraeli do të mund ta sulmojë Iranin, pohon ish-agjenti shumëvjeçar i Agjencisë zbuluese qendrore amerikane (CIA), Rober Baer, i cili për më shumë se dy dekada jeton në Lindjen e Afërt.

“Potezi i tillë i Izraelit do ta fuste SHBA-në edhe në një luftë dhe do ta rrezikonte personelin amerikan ushtarak dhe civil në Lindjen e Afërt dhe më gjerë”, deklaroi Baer në intervistën për një radiostacion të Los Angjelosit.

Në bisedë, ai nuk e theksoi burimin e informacionit të tillë, por në disa raste përmendi se ish-shefi i agjencisë së zbulimit të Izraelit Mosad, Meir Dagan paralajmëroi se kryeministri i izraelit, Benjamin Netanjahu është “fuqimisht i vendosur” për t’i sulmuar instalacionet bërthamore iraniane.

Sipas tij, Izraeli planifikon sulme ndaj kompleksit iranian në Natanc dhe ndaj instalacioneve të tjera bërthamore, me qëllim “që t’i degradojë aftësitë e tyre”.

Qeveria izraelite tani për tani nuk i komentoi pohimet e tilla të Baerit.

Izraeli e konsideron Iranin si rrezik tepër të madh për ekzistimin e tij dhe pohon se Teherani punon në prodhimin e bombës atomike. Liderët izraelitë në disa raste theksuan se nuk është përjashtuar opsioni për sulme ndaj instalacioneve bërthamore iraniane, përderisa sanksionet ndërkombëtare nuk e detyrojnë Iranin që të heqë dorë nga programi bërthamor i diskutueshëm, për të cilën Teherani pohon se është për qëllime civile.