Lajme Shqip Thursday, 11 August 2011 16:15

Londër – Kryeministri britanik David Cameroon deklaroi sot se Qeveria nuk do të lejojë që kultura e druajtjes të mbizotërojë nëpër rrugët në vend dhe paralajmëroi se më shumë masa që do të ndërmerren në afat sa më të shkurtër me qëllim që të kthehet paqja dhe rendi në Londër dhe në qytetet tjera, por edhe për t’u mos përsëritur ajo që ndodhi në katër ditët e fundit.

Duke folur para deputetëve në seancë të jashtëzakonshme në Parlament, dedikuar trazirave në rrugë, Cameroon tha se kjo që ka ndodhur në katër ditët e fundit nuk ishte protestë, e as nuk bëhet fjalë për kërkesa politike, por për një krim të thjeshtë të kriminelëve të rinj.

“Të gjithë ata do të paguajnë për atë çka kanë bërë dhe do t’i kthejnë gjërat që i kanë vjedhur”,  tha kryeministri britanik, për herë të parë duke paralajmëruar formim të një skeme të veçantë për qërim hesapesh me bandat me shfrytëzimin e përvojave nga disa qytete në SHBA.

Cameroon i ka njoftuar deputetët se Qeveria do t’i lejojë policisë të mund të heq nga fytyra e individit gjithë atë që ia mbulon identitetin, nëse konsideron se ekziston kërcënim nga kryerja e veprës kriminele, dhe do t’i mundësohet edhe e drejta e ndërprerjes së shfrytëzimit të komunikimit social dhe rrjeteve për komunikim të grupeve të organizuara kriminele. Masat e tilla arsyetohen me situatën me të cilën po përballet policia, të ndeshen me kriminelë të rinj me fytyrë të mbuluar me shami dhe kaçule, të cilët i dakordojnë aksionet përmes rrjeteve të internetit Fejsbuk dhe Tuiter.

Kryeministri britanik tha se ka qenë dhe ende është kundër shfrytëzimit të Armatës për operacionin e tanishëm për qërim hesapesh me bandat rrugore, duke pohuar se ka pasur mjaft forca të sistemuara policore, që tani janë gjithsej 32.000 nëpër tërë Anglinë, prej të cilëve gjysma janë në kryeqytet.