Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 16:13

Londër – Omar bin Laden, djali i katërt i udhëheqësit të Al Kaedës, Osama bin Laden, pohon se ka qenë i ftuar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në janar të vitit 2009, gjatë ditëve të fundit të mandatit të ish-presidentit të SHBA-së, Xhorxh Bush, informoi korrespondenti i MIA-s nga Londra.

“Isha i ftuar të shkoj në Uashington, ku më garantonin ndihmë, mbrojtje dhe mbështetje, që të ndihmoj në gjetjen dhe kapjen e babait tim”, pohon Omar bin Laden në intervistë, që e transmeton gazeta londineze “Dejli Telegraf”.

Ky saudit 29-vjeçar, i cili jeton në Doha në Katar, megjithatë, siç thotë, e ka refuzuar ftesën e administratës amerikane.

“Osama megjithatë është babai im dhe unë nuk mund ta bëj këtë, edhe pse nuk pajtohem me shumë ide të tij”, tha Omar Bin Laden. Ai pranon se përveç kësaj, nuk din se ku fshihet babai i tij, me të cilin nuk ka pasur asnjë kontakt pothuaj dhjetë vite.

Sipas tij, Osama bin Laden nga strehimoret në malet Tora Bora në Afganistanin lindor, është larguar disa muaj para sulmeve terroriste në SHBA, më 11 shtator të vitit 2011 dhe prej atëherë nuk janë parë, as nuk din se ku gjendet.

Djali i Osama bin Ladenit u bë i njohur në Britaninë e Madhe, pasi në vitin 2007 u martua me britaniken Xhejn Feliks Braun, e cila është 25 vjet më e vjetër se ai. Në shtator të vitit të kaluar, mediat londienze informuan se ata po divorcohen, për shkak se Omar bin Laden ka filluar të mjekohet nga shizofrenia.

Shtëpia e Bardhë, siç zbuloi “Dejli Telegraf”, ka refuzuar t’i komentojë pohimet e tilla të djalit të Osama bin Ladenit, duke e sqaruar këtë me përcaktimin që mos të komentohen veprimet e administratës së mëparshme.