Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 15:31

Shkup – Formimi i një fronti pro-evropian i cili do të bashkonte të gjitha partitë politike shqiptare, por që nuk përjashton edhe kyçjen e partive politike maqedonase, ka qenë një nga variantet e propozuara nga shumë analistë të vendit, por dhe të tjerë.

Me një ide të ngjashme ditë më parë në Shkup doli analisti politik nga Kosova, Veton Surroi. Formimi i një fronti të tillë nënkupton grumbullimin e të gjitha partive të cilat kanë për synim integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, me çka do të izolonte ata politikanë dhe subjekte politike që nuk i duan integrimet.

Ky bllok i cili ka për qëllim grumbullim e disa partive politike, dhe unifikimin e tyre rreth çështjeve euro-integruese, shihet me vështirësi për t’u realizuar si te faktori politik maqedonas, ashtu edhe tek ai shqiptarë. Deputeti i LSDM-së, Vllado Buçkovskit vlerëson se kjo ide mund të realizohet por vetëm pas zgjedhjeve.

“Një front i tillë më herët unë kam ofruar të krijohet, por nga kjo si duket u frikësua Ali Ahmeti. Shpresoj që tani të kenë ndryshuar qasjen partitë shqiptare. Kjo mundësi sot ekziston por vetëm pas zgjedhjeve, ku do të grumbulloheshin të gjitha ato parti të cilat kanë qëllim integrim të Maqedonisë. Por, një front i tillë nuk do të mund të realizohej në fazën parazgjedhore”, ka thënë Buçkovski.

Sipas tij, problemi më serioz është te partitë politike shqiptare, të cilat nuk janë ende të gatshme të ulen dhe të bashkohen për ndonjë çështje.

“Kjo anomali mund të tejkalohet te partitë politike maqedonase, por jo edhe te ato shqiptare. Por këtë dikush duhet të thyen akullin”, ka thënë Buçkovski.

Ndërkohë, nga Demokracia e Re (DR), kanë thënë se ato çdo herë kanë dhënë kontribut të veçantë kur janë në pyetje integrimet euro-atlantike.

“Ne çdo herë kemi qenë të gatshëm, dhe jemi që të japim kontribut të veçantë në rrugën euro-integruese të Maqedonisë. Dhe, nëse dikush ka një ide të tillë, do të ishte mirë që ajo të elaborohet, dhe të shtrohet para partive politike që të marrin qëndrime”, ka thënë Arjanit Hoxha, zëdhënës i DR-së. Të rezervuar, madje kanë qenë nga Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), të cilët nuk deshën të prononcohen për “çështje hipotetike”.

“Kjo është një çështje mbi të cilën mund të prononcohen vetëm organet më të larta partiake, dhe nëse kërkohet qëndrim partiak, atë qëndrim e marrin organet më të larta të partisë. Prandaj nëse dikush harton një program dhe ide, se si mund të realizohet ajo, le ta sjellin atë deri tek partia jonë pastaj ne marrim qëndrim, por hipotetikisht nuk mund të flasim”, ka thënë Iljaz Halimi, nga PDSH-ja.