Lajme Shqip Tuesday, 04 September 2012 18:36

Prishtinë – Zyrtarët më të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian, kanë porositur kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, që nisja e negociatave për anëtarësim në BE, është e kushtëzuar me përparimin e dukshëm dhe të qëndrueshëm të raporteve me Kosovën.

Këtë së pari në Bruksel e ka thënë presidenti i Këshillit Evropian, Herman Von Rompey, pas takimit që pati me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç.

Daçiç ndodhet në vizitën e tij të parë në cilësinë e kryeministrit në Bruksel.

Von Rompey, përpos përmirësimit të raporteve me Kosovën, si kusht përmendi edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur deri tani në dialog, dhe po ashtu u sugjeroi Beogradit dhe Prishtinës që të nisin dialogun edhe për çështjen e veriut të Kosovës.

Herman Von Rompey përsëriti që Bashkimi Evropian do të ndihmojë Serbinë në rrugën e saj të afrimit me Bashkimin Evropian, por nënvizoi se shpejtësia në këtë proces do të varet kryesisht nga vetë Serbia.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se qeveria e tij është e gatshme të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në Bruksel, dhe tha se nuk i vë në dyshim ato.

Ai tha se Serbia është e gatshme edhe për të vazhduar dialogun me, siç u shpreh, autoritetet e Prishtinës, por tha se pret nga Bashkimi Evropian që të mos parashtrojë kushte të reja për Serbinë.

Pas takimit që ka pasur Daçiq me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Shulz, ka marrë një porosi edhe më të qartë nga kreu i Parlamentit Evropian.

Shulz ka thënë se Parlamenti Evropian, normalizimin e raporteve e sheh duke rezultuar me një njohje të ndërsjellë midis dy vendeve.

Martin Shulz po ashtu ka thënë se Serbia duhet t’i përmbush kushtet për të cilat BE-ja insiston edhe për vendet tjera në procesin e integrimeve evropiane.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ivica Daçiç do të ketë takim edhe me komisionerin për Zgjerim të BE-së, Shtefan Fyle, me komisioneren të Çështjes së Brendshme Sesilia Malmstrom dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë dhe Siguri, Catherine Ashton. (LajmeShqip.com)