Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 13:58

Bruksel – Synimi i Serbisë për mbifuqi ndaj fqinjëve është pengesa kryesore për përparimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian, deklaroi në konferencën e Parlamentit evropian, kushtuar integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE-në, kryetarja e komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, Sonja Biserko.

Ajo para fillimit të seancës u takua me kryetarin e PE-së, Jezhi Buzek, i cili më parë kishte takim edhe me kryetarin e parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqin.

“Njëra ndër pengesat më të mëdha për arritjen e përparimit serioz në rajon është pozita e Serbisë ndaj fqinjëve dhe më së shumti dëshira e saj është të ketë një ndikim të fuqishëm ndaj tyre”, theksoi Biserko dhe shtoi se kjo është pengesë për konsolidimin demokratik të fqinjëve të saj, për zhvillim të bashkëpunimit të vërtetë në rajon dhe për përparimin në inkuadrimin në BE dhe në NATO.

Sipas Biserkos, Maqedonia nuk është mjaft e fuqishme për të filluar dialog me Greqinë, e cila e pengon marrëdhënien e saj me BE-në.

Biserko në fjalimin e saj deklaroi se Bosnja e Hercegovina është ballafaquar me kriza të brendshme të përhershme, më së shumti për shkak të politikës së Beogradit.

Ajo shtoi se vendimi i Gjykatës ndërkombëtare e ka konfirmuar pavarësinë e Kosovës, por megjithatë ajo nuk e ka ndryshuar qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Biserko theksoi se raporti i raportuesit të Këshillit Evropian, Dik Marti për tregtinë me organet njerëzore i ka shkaktuar goditje serioze imazhit të Kosovës.

“Mali i Zi vazhdon të heqë dorë nga identiteti i vet, por konsolidimi demokratik atje zhvillohet më mirë, se sa te disa shtete tjera dhe ai më shpejtë do të përparojë se Serbia në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”, shtoi Biserko.

Biserko u bëri thirrje Komisionit Evropian dhe BE-së që të ndërmarrin angazhim të ri për mbështetje të vendeve nga Ballkani Perëndimor, të cilat me vite luftojnë për fitimin e statusit të kandidateve për anëtarësim në Unionin.