Lajme Shqip Friday, 01 July 2011 13:28

Bruksel – Polonia sot e merr përsipër presidencën e Bashkimit Evropian. Vendi i madh ish-komunist, anëtar i BE-së, ka dëshirë të fuqizojë tregun e përbashkët duke thënë se kjo e mbështet prosperitetin evropian.

Gjithashtu ka dëshirë që të shtyjë para zgjerimin e bllokut drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të rindërtojë besimin në institucione. Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosllav Sikorski, ka thënë se Polonia ka dëshirë “të rindërtojë besimin në projektet e përbashkëta”.

Ndaras prej finalizimit të anëtarësimit të Kroacisë, fillimin e bisedimeve me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Ukrainën, Varshava gjithashtu dëshiron të promovojë edhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe bashkëpunimin ushtarak brenda BE-së.

Zyrtarët kryesorë të BE-së, udhëheqësi i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso dhe kryetari i Këshillit Evropian, Herman van Rompuj, pritet të marrin pjesë në festimet që do të mbahen për marrjen e presidencës gjashtëmujore nga ana e Polonisë.