Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 10:50

Bruksel – Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Ketrin Eshton shprehu kënaqësi për shkak të miratimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, e cila, siç tha, i merr parasysh ndryshimet institucionale në BE, të vendosura me Marrëveshjen e Lisbonës.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Eshton shtoi se me rezolutën në të ardhmen do t’u mundësohet përfaqësuesve të BE-së t’i prezantojnë dhe promovojnë pozicionet e Unionit në KB, siç u dakordua nga ana e vendeve-anëtare të saj.

“Marrëveshja e Lisbonës e konfirmon përkushtueshmërinë e BE-së në parimet nga Karta e KB-së, duke iu referuar zgjidhjeve multilaterale për probleme dhe sfida të përbashkëta. Bashkëpunimi midis BE-së dhe KB-së ka rëndësi të madhe dhe unë jam e entuziazmuar që kjo rezolutë do të na mundësojë të vazhdojmë me mbështetjen e përbashkët të punëve vitale të KB-së në mënyrë efikase dhe koherente”, theksoi Eshton.

Me vendim të Asamblesë së Përgjithshme të Kb-së, BE-ja mbrëmë fitoi statusin e mbikëqyrësit në Organizatën botërore.

BE-ja vitin e kaluar u përpoq të marrë një status të këtillë, por për shkak të kundërshtimit të shteteve të vogla dhe organizatave rajonale, nuk arriti.

Votimi në të cilin vetëm dy shtete ishin të përmbajtura, tregoi se në KB mbizotëron disponim në dobi të Unionit. Deri tani një status të këtillë kanë vetëm Vatikani dhe Administrata palestineze.

Përfaqësuesit e BE-së fituan të drejtën të marrin pjesë në debate dhe t’u përgjigjen pyetjeve lidhur me BE-në. Kanë të drejtë edhe të flasin për një grup të shteteve që i përfaqësojnë, por kjo nuk do të thotë se disa shtete anëtare të BE-së këtë të drejtë e kanë humbur.

Një pjesë e shteteve mendojnë se ky është precedent të cilin duhet ta ndjekin edhe Unioni afrikan dhe Liga arabe dhe presin mbështetje nga BE-ja për një kërkesë të këtillë eventuale të tyre.