Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 11:08

Londër – Britanikët e respektojnë linjën trashëgimtare të kurorës britanike, por tani mendojnë se si të anashkalohet princi trashëgimtar Çarls dhe mbret të bëhet djali i tij Uiliam, tregon hulumtimi i publikuar sot.

Vetëm tre javë para dasmës së princit Uiliam dhe Kejt Midëllton, 59 për qind të britanikëve theksojnë se dëshirojnë që i riu ta trashëgojë gjyshen e tij, mbretëreshën Elizabeta e Dytë, tregoi anketa e agjencisë së internetit për hulumtim Penelbase.

Ky rezultat duket disi logjik për shkak se princi 28-vjeçar, është i popullarizuar midis zonjave, ku madje 78 për qind e grave të moshës nën 35 vjeçe theksojnë se më shumë e adhurojnë Uiliamin se sa Çarlsin.

Rezultatet e hulumtimit dëshmojnë për ndryshimin e theksuar të dëshirave në krahasim me ato prej para një muaji e gjysmë, kur mezi 37 për qind të britanikëve deklaruan se dëshirojnë që Uiliam ta trashëgojë mbretëreshën, derisa 45 për qind preferojnë që Çarls të jetë mbreti i ardhshëm, siç tregon anketa e YouGov.