Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 16:13

Shkup – Aleanca e NATO-s edhe më tej e ka prioritet anëtarësimin e Maqedonisë, por kjo sigurisht se do të ndodhë pasi të zgjidhet kontesti i emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, ka thënë ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Dirk Brengelman, pas takimit që realizoi të premten në Shkup, me shefin e diplomacisë maqedonase Antonio Milloshovski.

“Do ta vazhdojmë planin tonë në kuadër të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, si dhe bashkëpunimin në planin nacional, dhe besoj se edhe më tej do të arrijmë në sukses të mëtejshëm prej momentit kur të gjendet ndonjë zgjidhje e pranueshme midis qeverive të dy vendeve”, ka thënë Berngelman.

Ai, gjithashtu, në emër të Aleancës Veriatlantike u shpreh falënderues ndaj kontributit të cilin e ka dhënë deri më tani Maqedonia nëpër misionet e saja, me theks të veçantë në misionin ISAF të Afganistanit.

Berngelman ka folur edhe për procesin zgjedhor të Maqedonisë, sipas të cilit  zgjedhjet janë pjesë e procesit të rregullt demokratik të secilit shtet. Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme, Antonio Milloshovski, ka thënë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO mbetet qëllim strategjik i yni, pasi që, siç tha ai, Maqedonia i takon NATO-s.

“Maqedonia e filloi ciklin e 12-të, të planit aksional për anëtarësim në NATO. Anëtarësimi në Aleancë është qëllimi ynë strategjik, Maqedonia i nevojitet Aleancës, por edhe NATO-ja i nevojitet Maqedonisë”, ka potencuar Milloshovski.

Sa i përket procesit gjyqësor në Hagë midis Maqedonisë dhe Greqisë, Milloshoski ka thënë se “NATO-ja nuk është pjesëmarrëse direkt e bisedimeve në Hagë dhe për këtë shkak Aleanca mbetet në qëndrimin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”.

Ndërkohë, Bengerman ka takuar të premten edhe sekretarin shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme Abdulkadër Memedi.
Takimi i udhëhequr nga Sekretari i Shtetit Memedi, me ekipin e NATO-s/MAPI në këtë format mbahet për herë të parë, ku marrin pjesë sekretarët shtetërorë dhe përfaqësuesit e institucioneve përkatëse që kanë marrë pjesë në përgatitjen e Programit Vjetor Nacional për Anëtarësimin e Maqedonisë në NATO 2010-2011.