Lajme Shqip Monday, 25 July 2011 17:02

Norvegjia ka nderuar sot me një minutë heshtje 93 viktimat e aktit të dyfishtë terrorist të premten në ishullin Otojas. I ndaluari Anders Brejvik ka dalë sot para Gjykatës në Oslo dhe ka pranuar krimin që ka bërë.

Personi i ndaluar nga policia, Anders Brejvik ka pranuar përgjegjësinë, ndërsa aktet e kryera nga ai i ka cilësuar si të tmerrshme, por të domosdoshme. Ai i ka thënë avokatit të tij se motivet e vrasjeve do t’i sqarojë para Gjykatës ku ka dalë sot. Ndërkaq, prokurorët kanë kërkuar që seanca dëgjimore të jetë e mbyllur.

Autoritet norvegjeze po përpiqen të zbulojnë nëse Brejvik ishte autor i një manifesti të publikuar kohë më parë me emrin e tij në internet.

Bervik duket se ushqen një urrejtje të madhe ndaj shqiptarëve. Në manifestin e tij ai thotë se trojet shqiptare janë të pushtuara nga gjihadistët myslimanë.

Krimineli norvegjez  shkruan edhe për Serbinë. Ai shprehet  i nervozuar me përzierjen e qeverisë së Norvegjisë  në bombardimin e NAT0-s gjatë “fushatës në Kosovë” dhe   thotë se gabimisht janë sulmuar vëllezërit e tyre serbë të cilët kanë dashur të përzënë islamin duke kthyer shqiptarët muslmanë në Shqipëri.

Sulmi terrorist në Norvegji ka gjasa të ketë shkaktuar edhe një viktimë me etni shqiptare. 17 vjeçarja Lejla Selaci nga Kosova, figuron e zhdukur.

Autoritet shtetërore të Kosovës dhe drejtues të subjekteve politike e kanë dënuar sulmin terrorist dhe i kanë shprehur ngushëllime ambasadorit norvegjez në Kosovë, autoriteteve shtetërore të Norvegjisë dhe popullit norvegjez. Në kujtim të viktimave, sonte para Teatrit Kombëtar do të ndizen qirinj duke filluar nga ora 20:00.