Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 12:37

Norvegji-Është një moment që është pritur me tension dhe me shumë shqetësim. Vrasësi norvegjez, Anders Behring Brejvik doli përpara gjyqit pak minuta përpara orës nëntë. Dhe që në momentin e parë bëri një gjest që të kujton nacionalsocializmin. Mblodhi grushtin, e afroi tek zemra dhe më pas e ngriti atë në formë përshëndetje.

“Unë nuk e njoh këtë gjyq. Politikanët norvegjezë kanë një mandat për të mbështetur multikulturalizmin,” tha ai.

Më pas prokurori lexoi emrat e 77 viktimave që shkaktoi Brejvik verën e shkuar. Ai nuk shfaqi asnjë emocion.

Korrespondenti i BBC thotë se gjatë gjyqit 10- javor, prokurorët do përshkruajnë një panoramë të detajuar të krimeve të Brejvik.

Ai vetë i ka rrëfyer krimet, por thotë se nuk është fajtor për shkak se kishte ‘një shënjestër legjitime’ në krimet e tij. Brejvik thotë se sulmoi disa mbështetës të Partisë Laburiste që përkrahin emigracionin dhe multikulturalizmin. Sipas Brejvik, këto politika janë në favor të pushtimit mysliman të Europës.

Nëse gjykata e shpall si të çmendur, ai do të vendoset nën kujdes psikiatrik. Në rast të kundërt do dënohet me 21 vite, por që mund ta zgjerohen në burg të përjetshëm. Vetë Brejvik duket se nuk e preferon psikiatrinë. Ndërkohë që jeta në burg për të është një luks i vërtetë. Mediat raportojnë se ai gjendet në një burg me kushte shumë të mira.(LajmeShqip.com)