Lajme Shqip Wednesday, 18 September 2013 13:57

Shkup – Të dhënat nga evidencat e regjistrimeve bëjnë të ditur se janë dhjetra ish-pjesëtarë të forcave maqedonase të sigurisë që kanë qenë pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001 që tani shfrytëzojnë të drejtën ligjore për t`u regjistruar pa asnjë pagesë dhe në kushte të posaçme në universitetet shtetërore. 

Regjistrimi i  tyre masivisht është bërë në qytetet ku USHT ka fakultete të disperzuara si në Shkup, Kërçovë, Kumanovë, Gostivar, por edhe në Tetovë, informon agjencia e lajmeve INA. 

Bëhet e ditur për rreth 100 kandidatë të regjistruar, që kanë shfrytëzuar të drejtat e tyre. 

“Branitellat” kanë shfrytëzuar USHT-në si universitet shtetëror për të shfrytëzuar të drejtën e tyre ligjore, për regjistrim, e cila i mundëson atyre përparësi gjatë regjistrimit. 

Sipas Ligjit për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë ‘branitellat’ pjesëmarrës në konfliktin e vitit 2001 kundër forcave të UÇK-së, ata gëzojnë të drejta speciale edhe në fushën e arsimit.  

“Çdo pjesëtar i forcave të sigurisë, fëmijët e të rënëve apo pjesëtarëve të vdekur si dhe fëmijët e invalidëve të luftës kanë përparësi gjatë regjistrimit në institucionet e larta arsimore, duke u liruar nga pagesa e participimit, me kusht që të plotësojnë pikët minimale të parapara me konkursin për regjistrim në universitete”, thekson ligji i miratuar menjëherë pas konfliktit të vitit 2001. 

Por, nga ana tjetër, janë me dhjetëra ish-pjesëtarë të UÇK-së, fëmijë të ushtarëve, dëshmorëve dhe invalidëve të luftës të UÇK-së që akoma nuk gëzojnë këtë të drejtë. Ata janë të barabartë me kandidatët e tjerë sa i përket kushteve për regjistrim nëpër universitete. Miratimi i ligjit për përkujdesje institucionale për UÇK-në vazhdon të jetë vetëm një temë e debatit politik ndërmjet partive shqiptare, që akoma nuk ka një zgjidhje ligjore.

Në Universitetin Shtetëror të Tetovës këtë vit akademik janë regjistruar mbi 4 mijë studentë të rinj.