Lajme Shqip Monday, 09 May 2011 08:58

Prishtinë – Bota sot e shënon Ditën e fitores mbi fashizmin. Më 9 maj të vitit 1945, me nënshkrimin e kapitullimit të pakusht të Gjermanisë naziste, zyrtarisht iu vu fundi Luftës së Dytë Botërore, në të cilën morën pjesë 61 vende, me gjithsejt 2,1 miliardë banorë apo 96 për qind të popullatës së botës dhe e cila mori mbi 50 milionë jetë njerëzish.

Kapitulimi i pakusht i Rajhit të Tretë u nënshkrua në Berlinin e shkatërruar, vetëm disa minuta pas mesnate, më 9 maj. Kapitulimin në emër të Komandës supreme gjermane e nënshkruan l, gjenerali Hans Jirgen Shtumpf dhe admirali Hans Gerg fon Frideburg. Nga ana e aleatëve marrëveshjen e nënshkruan marshali rus, Georgi Zhukov dhe gjenerali britanik, Artur Teder.

Nga mbi 50 milionë viktima, 20 milionë ishin nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, ndërsa mbi 30 milionë ishin civilë. Në kampet naziste u vranë rreth 12,5 milionë njerëz, prej tyre gjashtë milionë hebrenj. Dëmi material nga Lufta e Dytë Botërore vetëm në Evropë u vlerësua në rreth 260 miliardë dollarë amerikanë.

Në Lindjen e Largët, lufta përfundoi më 2 shtator të vitit 1945, kur Japonia kapituloi pas bombardimit të Hiroshimës dhe Nagasakit me armë deri atëherë të panjohur, bombë bërthamore.

Manifestimi qendror në botë, me rastin e fitores mbi fashizmin tradicionalisht do të mbahet në Moskë ku në Sheshin e Kuq do të defilojnë pjesëtarë të gjinive të ndryshme të armatës ruse, si dhe veteranë nga Lufta e Dytë Botërore.