Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 15:23

Beograd– “Ka ardhur koha për një marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve, mjaft me konflikte, është momenti për pajtim”, ka deklaruar ish-ministri në qeverinë e kaluar serbe Goran Bogdanoviq, në një intervistë për radion DW. Sipas tij, Beogradi e Prishtina duhet të gjejnë një zgjidhje kompromisi, duke vazhduar dialogun e nisur me ndërmjetësimin e BE-së dhe duke zbatuar marrëveshjet që janë arritur deri më tani.

“E vërtetë është që Kosova këto ditë do të mbetet pa mbikëqyrje ndërkombëtare. Ndërkohë që sfidat më të mëdha, të cilat kanë ekzistuar që prej fillimit të konflikteve të armatosura, ekzistojnë edhe sot. Këto janë liria e lëvizjes, problemet e pazgjidhura me pronat, mungesa e gatishmërisë së liderëve politikë shqiptarë dhe serbë për pajtim. Një problem shumë i madh është edhe kthimi i njerëzve të zhvendosur nga Kosova. Kthimi nuk mund të realizohet pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Pra Kosovën e presin sfida dhe probleme të mëdha. Kam frikë se situata nuk mund të ndryshojë pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe pa praninë e saj të fuqishme. Gjendja madje mund të përkeqësohet. Ne që jetojmë këtu dhe e shohim ardhmërinë tonë në Kosovë duam që shqiptarët dhe serbët të pajtohen sa më parë dhe që mosmarrëveshjet të harrohen. Kjo mund të arrihet nëse ekziston vullneti politik, i cili për fat të keq, ende nuk ekziston tek asnjëra palë”, tha Bogdanoviq, i cili është nga Leposaviqi.

Sa i takon dialogut të nisur, ai vlerëson se Beogradi dhe Prishtina duhet të gjejnë ndonjë zgjidhje kompromisi, me të cilën do të ishin të kënaqur të dy palët, në radhë të parë populli serb e shqiptar.

“Sfidat më të mëdha janë tani administrimi i integruar i kufirit, liria e lëvizjes dhe çështja e veriut. Pa zgjidhjen e çështjes së veriut nuk mund të ketë asnjë përparim në raportet mes Prishtinës dhe Beogradit”, tha Bogdanoviq.

“Më e rëndësishmja është që të shkojnë në drejtim të pajtimit. Konflikte dhe probleme ka pasur mjaft. Kanë kaluar 13 vjet nga konflikti dhe ne nuk kemi arritur asgjë – jo vetëm serbët, por as shqiptarët, të cilët po ashtu kanë mbetur pa punë dhe jetojnë në gjendje të rëndë sociale. Ndaj, sa më parë duhet të zgjidhim çështjet politike në mënyrë që të përmirësojmë gjendjen ekonomike dhe njerëzit të fillojnë të jetojnë normalisht, nga puna e tyre”, përfundon ish zyrtari i qeverisë serbe.(LajmeShqip.com)