Lajme Shqip Thursday, 18 October 2012 19:22

Beograd – Kryeministri serb, Ivica Daçiç deklaroi se Beogradi është i gatshëm të nisë “qysh nesër” bisedimet, qofshin këto politike më Kosovën.

Në një intervistë për mediat serbe, Daçiç hodhi poshtë akuzat se zyrtarët serbë po zvarrisin qëllimisht dialogun me Prishtinën dhe pretendoi se në interes të Serbisë është e kundërta; nisja e tyre sa më parë.

“Deklaratat se ne nuk dëshirojmë nisjen e bisedimeve me Kosovën në këto momente janë akuza të pavërteta. Është në interesin tonë të nisim sa më parë këto bisedime për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, deklaroi kryeministri serb duke shtuar se do të mbledhë qeverinë për të marrë një vendim për këtë çështje ditën e enjte.

Lidhur me perspektivën europiane të Serbisë, kryeministri serb falenderoi vendet e Bashkimit Europian për ndihmën e dhënë në mbështetje të zhvillimit të institucioneve të vendit të tij. Ai tha se Serbia duhet të përshtasë legjislacionin e saj në përputhje me standardet e BE-së në mënyrë që të jetë gati kur bisedimet për anëtarësim të çelen. Megjithatë, shprehu optimizim se këto bisedime, nuk do të jenë më të vështira se sa bisedimet me Kosovën.(LajmeShqip.com)