Lajme Shqip Saturday, 25 August 2012 13:41

Shkup – Kryeministri Gruevski nuk është tërhequr nga pozicioni i tij për të miratuar projekt-ligjin për përkujdesje institucionale për ish-pjesëtarët e forcave maqedonase të sigurisë, pjesëmarrës në konfliktin e 2001, duke mos përfshirë në pako edhe zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Nga ana tjetër, BDI gjithashtu ka mbajtur qëndrimin e saj që projekt-ligji i ri të përfshijë edhe zgjidhjen e statusit të UÇK-së, ose ky projekt – ligj të tërhiqet nga procedura parlamentare.

Bisedimet midis Ahmetit dhe Gruevskit që kanë zgjatur për 45 minuta kanë mbetur pa asnjë zgjidhje, ndërsa ata janë dakorduar për vazhdimin e bisedimeve të shtunën ose të dielën.

Në rast se liderët e dy partive nuk arrijnë marrëveshje për tejkalimin e krizës qeveritare, atëherë do të pasojë shpërbërja e Parlamentit dhe organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Burime qeveritare i thanë agjencisë së lajmeve INA se fundjava do të jetë vendimtare lidhur me fatin e koalicionit aktual qeverisës.  Tensionet midis partive të koalicionit pasuan pas homazheve të ministrit të mbrojtjes Fatmir Besimi në varrezat e UÇK-së në Sllupan me praninë edhe të pjesëtarëve të ARM-së, ndërsa ky veprim pasoi me kundërpërgjigjen e VMRO-DPMNE, e cila vendosi në rend dite projekt ligjin për zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të forcave maqedonase të sigurisë. (INA)