Lajme Shqip Monday, 02 April 2012 10:30

Liderja e opozitës birmaneze Aung San Suu Kyi ka përshëndetur nëpërmjet një komunikate “fitoren e popullit” dhe i ka kërkuar partisë së saj dhe mbështetësve që të përmbajnë gëzimin në këto momente.

“Është fillimi i një ere të re”, është shprehur fituesja e çmimit Nobel për Paqen, e cila ka fituar 43 nga 44 vendvotimet në zgjedhjet elektorale.

“Nuk është triumfi ynë, por i atyre që vendosën të merrnin pjesë në këtë proces politik. Nuk ka rëndësi numri i votave të fituara, edhe pse jemi të kënaqur për numrin e lartë, por entuziazmi me të cilin kanë marrë pjesë njerëzit në këtë proces votimi demokratik”, theksoi Suu Kyi.

“Kemi fituar 43 nga 44 vendvotimet dhe po presim rezultatet e fundit tashmë nga shteti Shan”, shtoi një zëdhënës i partisë.

San Suu Kyi, e cila ka kaluar pjesën më të madhe të dy dekadave të fundit në arrest shtëpie, u lejua të merrte pjesë në zgjedhjet elektorale për herë të parë.