Lajme Shqip Tuesday, 09 July 2013 11:25

Një raport sekret në Pakistan, i publikuar nga Al Jazeera, tregon detaje pikante nga jeta e njeriut më të kërkuar në botë, Osama bin Laden.

Në një rast në vitin 2002 ose 2003, kryeterroristi për pak nuk u kap, pasi u ndalua nga policia ndërsa shkonte në një treg me truprojën e tij, Ibrahim al- Kuëaiti.

Policia e ndaloi makinën për tejkalim shpejtësie, por bin Laden e zgjidhi shumë shpejt çështjen dhe ai ishte sërish i lirë.

Një nga të afërmit e bin Laden ka treguar se si Sheiku, siç e quanin atë, vishte shpesh një kapele kauboji për të evituar identifikimin e tij nga avionët pa pilotë të SHBA.

Po ashtu në raport thuhet se bin Laden kishte ndërtuar një kat pa leje në shtëpinë e tij, ku edhe u vra.

Në raport jepen detaje edhe për mjekun Shakeel Afridi, që ndihmoi amerikanët në identifikimin e bin Laden, duke përdorur një program vaksinimi si mbulesë për veprimet e tij, shkruan tema.

Mësohet se CIA e kishte takuar Afridin në 25 raste dhe në total ai ka marrë si shpërblim për punën e bërë 100 mijë dollarë.

Afridi është arrestuar dhe është dënuar me tre vite burg nga qeveria e Pakistanit.

Në përgjithësi raporti arrin në përfundimin se ishte paaftësia dhe neglizhenca e Pakistanit që bëri të mundur që Osama bin Laden të jetonte për thuajse një dekadë në këtë vend.

Raporti është hartuar nga një komision i posaçëm, i ngritur nga parlamenti i Pakistanit për të hetuar në mënyrë të pavarur këtë çështje.