Lajme Shqip Tuesday, 11 September 2012 10:00

Nju Jork- Komandoja, që përdor pseudonimin Mark Owen, u intervistua nga rrjeti televiziv amerikan CBS. Owen përsëriti deklaratën e tij se Bin Laden u qëllua sapo vështroi jashtë dhomës së tij, ndryshe nga versioni zyrtar i ngjarjes. Pentagoni ka deklaruar se mund ta padisë zotin Owen për publikim të sekreteve ushtarake.

Në intervistë, ushtaraku, që nga disa media të tjera është identifikuar si Matt Bissonnette, mbrojti atë që tha mbi mënyrën e vdekjes së Bin Laden.

“Nëse një person fshihet në një qoshe, atëherë ka shumë mundësi që të jetë i armatosur. Dhe ne nuk mund të presim që ai të marrë kallashnikovin ose të na hedhë një granatë, apo të bëjë një atentat vetëvrasës”, deklaroi Owen.

Ai shtoi se Bin Laden po lëvizte pas goditjes së parë dhe u qëllua sërish kur komandot hynë në dhomë. “Komandot nuk mund t’i shihnin duart e tij. Kështu që ai mund të kishte pasur diçka. Mund të kishte pasur një granatë ose diçka tjetër poshtë rrobave”, shtoi Owen.

Zoti Owen foli për një letër që i ishte dërguar për t’u takuar me presidentin Obama, të cilit komandot refuzuan t’i tregonin se cili prej tyre qëlloi sheikun.

“Të tërheqësh këmbzën e armës është e lehtë… Nuk bëhet fjalë se kush person ishte, por për skuadrën… ajo bën gjithçka”, u shpreh më tej Owen. (LajmeShqip.com)