Lajme Shqip Friday, 29 July 2011 16:57

Shkup – Ministri i sapozgjedhur i Mbrojtjes i Maqedonisë, Fatmir Besimi, e ka vlerësuar si një nder dhe përgjegjësi postin që do ta bartë në katër vjetët e qeverisjes.

Kjo me faktin se për të parën herë në ballë të këtij dikasteri do të prijë një shqiptar. Sipas Besimit, përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve do jetë prioritet jo vetëm në aspekt të numrit, por edhe në kuadër te armatës, duke u bazuar në etikën njerëzore dhe profesionalizmin.

“Është kjo një periudhë kur Maqedonia do të hapërojë drejt NATO-s dhe do jetë një mandat kur shteti do bëhet anëtar i saj, për një të ardhme të ndritshme të vendit. Kësaj i shtohet edhe simbolika e shënimit të dhjetëvjetorit të MO-së, pra kur vendi duhet të arrijë hyrjen në këto struktura euroatlantike”, ka thënë numri një i Mbrojtjes Besimi.

“Si shqiptar, do ta jap maksimumin për të gjithë qytetarët e vendit dhe duke dhënë sinjal se nuk ka pozicione të rezervuara për shqiptarë apo maqedonas, pra të gjithë jemi të barabartë dhe me këtë dëshmojmë se dimë si të menaxhojmë me institucionet relevante”, ka shtuar Besimi.

Ai ka bërë të ditur edhe për sfidat e radhës që do t’i ketë në këtë dikaster si menaxhimi i drejtë e resorit, mirëbesimi në vend dhe jashtë saj që është një hap para shtetit multi-etnik i cili do jetë anëtare fuqiplotë e NATO-s dhe kontribuues i paqes edhe në nivel botëror.

Ndryshe, sa i përket kalimit nga Ekonomia në Mbrojtje, në aspektin profesional, sipas tij, ky është edhe një angazhim shtesë i përvojës nëntëvjeçare në institucionet e vendit po dhe kontribut shtesë për ekonominë e vendit dhe paqes. (LajmeShqip.com)