Lajme Shqip Monday, 28 March 2011 16:26

Romë – Kryeministri italian Silvio Berluskoni është politikani më i pasur në Itali, ku për vitin 2009 ka paraqitur 40.89 milionë euro, sipas fletparaqitjes tatimore të tij të publikuar sot.

Për vitin e kaluar magnati i mediave ka paraqitur 23.05 milionë euro.

Për herë të parë në grafikun e gjendjes familjare, kryeministri italian theksoi “të ndarë”, pasi në vitin 2009 filloi procedura për shkurorëzim me bashkëshorten Veronika Lanio, e cila e akuzoi për lidhje jashtë kurorëzimit.

Në vendin e dytë sipas pasurisë midis politikanëve italianë me dallim të madh prej 40 milionë eurosh është aleati i tij i mëparshëm dhe kundërshtari aktual Xhanfranko Fini, i cili është kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe deklaroi 186.563 euro. Pas tij vijon lideri i Aleancës centriste për Italinë Françesko Ruteli, i cili paraqiti 182.000 euro.

Sipas listës vjetore të “Forobs”-it, Silvio Berluskoni është i treti për pasuri në Itali me 7.8 miliardë dollarë. Në vendin e parë është pronari i Nutela Mikele Ferero me 18 miliardë euro, ndërsa në vendin e dytë është pronari i Luksotika Leonardo del Vekio me 11 miliardë euro.