Lajme Shqip Sunday, 13 November 2011 12:55

Me largimin e Silvio Berluskonit nga funksioni kryeministër i Italisë, ka përfunduar një erë politike në vendin me më shumë skandale në historinë më të re të shtetit, vlerësojnë mediat perëndimore.

Berluskoni e “pushtoi Italinë” kur hyri skenën politike në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar në kohën kur ishte pronar i klubit futbollistik “Milan”, si dhe i rrjetit të kanaleve televizive të popullarizuara dhe komerciale.

Kompania e tij “Fininvest” pati pjesëmarrje në shtëpinë botuese më të madhe italiane “Arnoldo Mondadori” në mesin e botimeve është edhe “Panoramo”, një prej revistave më të njohura në Itali. Duke iu falënderuar kësaj, si dhe lidhjeve me Partinë socialiste dhe udhëheqësit të saj Betino Kraksi, u bë njëri prej njerëzve më të pasur dhe më me ndikim në Itali.

Ishte njëri nga kryeministrat me stazh më të gjatë në Itali pas Luftës së Dytë Botërore, dhe i tretë kur bëhet fjalë për gjatësinë e mandatit nga formimi i Italisë, pas Benito Musolinit dhe Xhovani Xholitit.

Tre herë ishte kryeministër, në periudhat 1994-1995, 2001-2006 dhe 2008-2011. Është themelues i partisë “Forca Italia” (Përpara Itali) me të cilën në mars të vitit 1994 fitoi në zgjedhjet. Kjo parti dhe Aleanca kombëtare u bashkuan në vitin 2009 në partinë “Populli i lirisë” në krye të së cilës ishte Berluskoni.

Sipas listës së “Forbs” në vitin 2010, ai ishte njeriu i tretë në Itali për nga pasuria, e cila është nëntë miliardë dollarë, ndërsa është pronar edhe i pagave në Sardini dhe në mbarë botën. Berluskoni është përmendur për një sërë skandalesh seksuale dhe korruptuese, ndërsa mandatin e tij e shënuan gafe të shumta.

Ai do të kujtohet edhe për komentin rreth gjendjes në ekonominë italiane, ai tha se të jetohet në Itali do të thotë të jetohet në një vend me prosperitet në të cilin asgjë nuk ndjehet si krizë serioze.

“Këtë e shohim në të gjitha rastet, shitjet nuk janë të vogla, restorantet janë përplot, është problem të gjendet vend në aeroplan, pushimoret janë të mbushura plot gjatë fundjavave të vazhduara”, theksoi Berluskoni.

Deklaratë të pahijshme dha në prill të vitit 2009, kur i vizitoi të mbijetuarit në tërmetin të cilët ishin të vendosur në tenda. “Këtë gjë ata duhet ta shohin si fundjavë të kaluar në kamping”, tha asokohe Berluskoni.

Është i njohur edhe për atë se veten e quante “Jezu Krisht i politikës”. Ai thoshte se vetëm Napoleoni ka mundur të bëjë më shumë se ai, por se ai “definitivisht është më i gjatë”. Do të përkujtohet edhe për deklaratën për Musolinin për të cilin tha se nuk ka vrarë askend por se vetëm “i ka dërguar njerëzit në ekzil”.

Gjatë fotografimit në grup në një Samit joformal të BE-së në Spanjë në shkurt të vitit 2002, Berluskoni vendosi dy gishta mbi kokën e ministri spanjoll të Punëve të Jashtme, Zhozef Pike.

Anketat e fundit të opinionit publik treguan se popullariteti i tij u zvogëlua në nivel të ulët rekord – në vetëm 22 për qind.

Siç pritej, ai mbrëmë dha dorëheqje nga funksioni, e cila u pranua nga presidenti Xhorxho Napoletano.

Berluskoni i cili në 17 vitet e kaluara, 10 vite ishte në pushtet, e lë Italinë në vakum politik, pritet emërimi i shpejtë i mandatarit të ri. Si kandidat kryesor përmendet ish komisari i Bashkimit Evropian, Mario Monti.

Drejtpërdrejtë para se të japë dorëheqje nga funksioni, mijë protestues në pritje të dorëheqjes, mbrëmë me flamuj u mblodhën para zyrës së presidentit duke mbajtur pllakate me mbishkrime “Baj baj Silvio”.

“Jam thellë i zemëruar”, tha Berluskoni në deklaratën për mediat italiane, derisa protestuesit në rrugët e Romës brohorisnin “Palaço” dhe “Largohu menjëherë”.