Berlin – Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe kryeministri hungarez Viktor Orban sot në Berlin i potencuan marrëdhëniet e mira bilaterale dhe u dhanë mbështetje shteteve ballkanike, e posaçërisht Kroacisë, në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Orban theksoi se qëllim strategjik duhet të jetë që Ballkani të bëhet pjesë e BE-së, ndërsa Merkel tregoi për përparimin e Kroacisë në këtë rrugë, lajmëruan mediat gjermane.
Merkel dhe Orban, siç vlerësojnë analistët, pas mosmarrëveshjeve të lidhura, para së gjithash, rreth ligjit hungarez për media, kushtetutën hungareze që vitin e ardhshëm hyn në fuqi dhe qëndrimit të Budapestit ndaj romëve, u përpoqën për normalizim të marrëdhënieve.
Me rastin e debatit për lidhjen e kushtetutës hungareze me parimet e BE-së, Orban e theksoi gatishmërinë e vendit të tij që t’i përmbahet rregullave të BE-së.
Edhe Orban edhe Merkel i theksuan marrëdhëniet e mira bilaterale, ndërsa kryeministri hungarez theksoi se mes Berlinit dhe Budapestit ekziston raporti i partneritetit.