Lajme Shqip Sunday, 29 July 2012 16:19

Beograd –  Kryetari i Partisë demokratike të Serbisë, Vojislav Koshtunica ka vlerësuar sot se deklarata e ish të dërguarit të KB në Kosovë, Marty Atissari se Serbia nuk duhet të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën, ngjanë sikur kërcënim me pushkë zbrazur.Në një deklaratë të dorëzuar në agjencinë Beta, Koshtunica ka vlerësuar se Kushtetuta e Serbisë është “digë e patejkalueshme“ për pavarësinë e Kosovës, dhe nuk duhet as të mendohet që kushtetuta të ndryshohet derisa tërësia  e vendit është e rrezikuar.

“Në në çastin e duhur më 2007  siguruam që KS i KB të hedh planin e Ahtisaarit, dhe me kurrfarë shantazhesh të ndërkohshme nuk mund të ngjallet projekti i Ahtisaarit që Serbia ta njoh Kosovën”, tha Koshtunica.

Gjithashtu ka reaguar edhe Kryeministri i ri serb, Ivica Daçiq, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se nuk ka nevojë  që Serbia “të reagoi rrëmbimthi” ndaj deklaratës së Ahtisaarit, sepse ai nuk ka folur në emër të BE-së. I pyetur  të komentojë deklaratën e ish të dërguarit të KB në Serbi, Daçiq u ka thënë gazetarëve se deklarata e tij mund të nxit vetëm “kundërefekt” dhe se do të duhej të reagojë BE. Kryeministri i ri serb tha se Ahtisaari në rend të parë do të duhej të angazhohet për aplikimin e Rezolutës 1244 për Kosovën. Poashtu, siç raporton B92, Daçiq ka theksuar se KS i KB e ka hedhur planin e Ahtisaarit.

Borislav Stefanoviq, ish shefi i ekipit negociator serb, ka theksuar se është qëndrim personal i Ahtisaarit që Serbia nuk duhet të hyjë në Be derisa ta njohë Kosovën, por fjala e tij ka peshë në BE. “Në pyetje është qëndrimi personal i Ahtisaarit, i njohur për angazhimin  e tij për pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, ai gëzon një reputacion të madh në Evropë dhe fjala e tij ka peshë, edhe pse nuk është personalitet që mund të vendos rreth kësaj çështjeje”, tha Stefanoviq.

Ai ka shtuar se Serbia nga Ahtisaari nuk ka dëgjuar asgjë të re, por ajo deklaratë vërteton se prapavija e planit të tij  gjithnjë ka qenë që Serbia edhe formalisht duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. “Nëse njerëz si Ai do të vendosnin, para Serbisë vërtet do të paraqitet një kusht i këtillë”, ka tërhequr vërejtjen Stefanoviq.

Shefi i Zyrës për Kosovën, Aleksander Vulin thotë se deklarata e Ahtisaarit, është kompensim i borxhit ndaj lobistëve shqiptarë, por Serbia nuk i ka asnjë borxh dhe se do t’i përmbahet Kushtetutës së vet. “Shteti i Serbisë nuk është shtet banane. Ai ka Kushtetutën e vet, dhe asaj do t’i përmbahet. Serbia është anëtare e KB dhe për këtë do ta respektojë Rezolutën 1244”, tha Vulin.

Ndërsa, kreu i Këshillit Nacional Serb, Millan Ivanoviq ka thënë se me deklaratën e tij, Ahtsiari ka treguar se edhe më tej “paguhet nga separatistët shqiptarë”. (LajmeShqip.com)