Lajme Shqip Monday, 27 February 2012 12:55

Bruksel (PLOTESUAR 27 shkurt, 15:00) Ministrat e jashtëm të BE-së kanë rënë dakord ti propozojnë liderëve të BE-së që Serbisë ti jepet statusi i vendit kandidat.

Lajmi është dhënë nga vetë shefi i diplomacisë franceze Alen Zhype, pqrpara gazetareve.

“Sot kishin një marrëveshje”, u ka thënë Zhype gazetarëve gjatë një pauze të takimit ministror që po mbahet në Bruksel.

Vendimi formal për dhënien e kandidaturës pritet të jepet nga ministrat për Çështje Evropiane të martën, ndërsa verdikti final jepet në një samit të BE-së më 1 dhe 2 mars.

“Të paktën nuk kishte kundërshtime tjera sot”, ka thënë Zhype. “Kjo do të inkurajojë Beogradin që të bëjë përparim në rrugën drejt riafrimit me BE-në”, ka thënë ai, edhe pse sipas tij, ka ende punë për t’u bërë. 

Disa ministra të jashtëm të BE-së kanë folur në favor të dhënies së kandidaturës. “Serbia i ka përmbushur kushtet për statusin e kandidatit”, ka thënë ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bildt.

**************************

Beograd- Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së sot në Bruksel do të japin opinionin politik nëse Serbia meriton të marrë statusin e kandidates për anëtarësim në BE.

Shefat e diplomacive të BE-së nesër do të takohen si Këshill për punë të përgjithshme dhe do të sjellin vendim nëse Beogradi do të marrë kandidaturë, ndërsa të enjten më 1 mars kjo përfundimisht do të konfirmohet nga Këshilli Evropian.

Qarqet diplomatike në Bruksel presin se vendimi ministror do të jetë pozitiv për Serbinë, duke e pasur parasysh marrëveshjen të cilën Beogradi dhe Prishtina e arritën të premten për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe menaxhimit të përbashkët me vendkalimet kufitare.

Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Gido Vestervele, i cili javën e kaluar ishte për vizitë në Beograd, deklaroi se Gjermania dëshiron në takimin e Këshillit Evropian në mars Serbia të marrë statusin e kandidates për anëtarësim në BE.

Presidenti serb Boris Tadiç, i cili sot dhe nesër do të qëndrojë në Bruksel, pritet të bisedojë me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kethrin Eshton dhe me kryetarin e Këshillit Evropian, Herman van Rompuj. (LajmeShqip.com)