Lajme Shqip Friday, 20 May 2011 13:37

Beograd – Presidenti serb Boris Tadiq deklaroi se beson që Serbia do ta përfundojë bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës, që, sipas kryetarit të Komisionit Evropian Zhoze Manuel Barozo, do të jetë kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.

“Serbia në të kaluarën pranoi të dërgojë në Hagë një pjesë të madhe të të akuzuarve, ndërsa edhe dy të arratisur të tjerë ende janë në liri dhe ikin nga drejtësia – dhe kjo nuk është e pranueshme. Për këtë arsye presim të realizohet përparim dhe mendimi për bashkëpunimin me Tribunalin mund të jetë pozitiv në masë të plotë”, tha Barozo pas takimit të mbrëmshëm me Tadiqin.

Barozo theksoi se kushti i Hagës është i pashmangshëm në procesin e inkuadrimit në BE, dhe se nuk ka mënyrë tjetër që bashkëpunimi të realizohet, por të intensifikohet hetimi për Ratko Mlladiqin dhe Goran Haxhiqin.

Përfundimi i bashkëpunimit, sipas tij, është edhe parakusht për pajtim rajonal, për çka BE-ja gjithashtu insiston.

Tadiq theksoi se arrestimi dhe dërgmi i të akuzuarve të tjerë të Hagës “do të jetë kurorë” e punës shumëvjeçare të sistemit të vlerave dhe vendosjes së rregullativës juridike pas ndryshimeve demokratike në vitin 2000″.

Shefi i shtetit serb përsëriti se, madje edhe kur Tribunali i Hagës do të ndalet së punuari nesër, Serbia do të vazhdojë të gjurmojë për të akuzuarit sepse ky është obligimi i saj moral dhe ligjor dhe për shkak se pa përfundimin e kësaj pune nuk ka pajtim në rajonin e Ballkanit Perëndimor.ff/mp/9:32