Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 13:18

Beograd – Presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe zëvendëskryeministri serb dhe ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, sot në takime të ndara do të takohen me kryeprokurorin e Tribunalit të Hagës Serzh Bramerc, i cili ndodhet për vizitë dyditore në Beograd, para dorëzimit të raportit për bashkëpunim midis Serbisë dhe Tribunalit deri te Këshilli i Sigurisë i KB-së .

Bramerc dje ka biseduar me prokurorin serb për krime të luftës Vlladimir Vukçeviq dhe kryetarin e Këshillit kombëtar për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Rasim Lajiq.

Në një intervistë dhënë për televizionin beogradas B92, Bramerc ka thënë se arrestimi i kriminelëve të luftës, Ratko Mladiq dhe Goran Haxhiq, është i padiskutueshëm. Ai ka thënë madje se këshillat e dhëna në muajin shkurt ende nuk janë aplikuar, ndërsa ka shtuar se raporti për bashkëpunimin e Serbisë me Tribunalin do të përpilohet pas bisedimeve me autoritetet serbe.

Me gjithë deklaratën e kryeprokurorit të Tribunalit të Hagës, shefi i Këshillit serb për bashkëpunim, Rasim Lajiq, ka thënë se pret një raport “realist” nga Bramerc, “i cili nuk do ta bllokojë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian”.

Në deklaratën dhënë për të përditshmen serbe “Danas”, Lajiq tha se optimizmi i tij bazohet në “bashkëpunimin e frytshëm dhe të mirë, kur bëhet fjalë për arkivat dhe lirimin e dëshmitarëve nga obligimi për të ruajtur sekretet e shtetit”.

I pyetur nëse pret presion të ri, për shkak të faktit se ish-lideri ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mladiq dhe ish-lideri politik i serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiq, janë ende në liri, Lajiq ka thënë se Serbia ishte “nën një seri presionesh gjatë viteve të fundit”.

“Serbia e di madje edhe pa presione se cilat janë obligimet e saj karshi Tribunalit të Hagës dhe se për integrimet evropiane një prej kushteve është ekstradimi i Mladiqit dhe Haxhiqit sa më parë që të jetë e mundur”, tha ai.