Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 14:46

Zagreb – Përfundimi i negociatave të Kroacisë me Bashkimin Evropian do ta përforcojë edhe orientimin evropian të shteteve nga Evropa juglindore dhe Zagrebi është i gatshëm për t’u ndihmuar atyre vendeve në rrugën drejt BE-së, deklaroi dje në Bruksel kryetari i parlamentit kroat, Luka Bebiq.

“Mbyllja e shpejtë e negociatave me Kroacinë për anëtarësim të plotë në Union do ta përforcojë orientimin e qartë dhe të padiskutueshëm të vendeve të Evropës Juglindore. Modeli i rrugës kroate, përvoja e jonë negociuese dhe perspektiva e qartë evropiane u japin inkurajim të madh”, tha Bebiq në fjalimin në takimin e përbashkët parlamentar në temë “Ballkani Perëndimor – drejt Evropës së integruar”.

Në konferencën dy-ditore, të cilën e organizuan Parlamenti Evropian dhe Parlamenti i Hungarisë, marrin pjesë deputetë nga Partia Popullore Evropiane në Parlamentin evroipan dhe parlamentet e vendeve-anëtare.

Bebiq e theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik midis vendeve nga Evropa Juglindore.

“Rajoni dhe politikat rajonale janë prioritet i politikës së jashtme kroate. Me rëndësi për ne është që me të gjitha vendet nga rajoni të ndërtojmë lidhje të mira fqinjësore dhe partneritet, duke kontribuar në atë mënyrë drejt transformit afatgjatë të rajonit në zonën e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit”, tha Bebiq.

Kryetari i Parlamentit evropian, Jerzhi Buzek deklaroi se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dera është e hapur për hyrje në BE dhe se një nga qëllimet e këtij takimi është përfitimi i një pasqyre më të mirë të Parlamentit evropian në procesin e rajonit të integruar.