Lajme Shqip Friday, 08 June 2012 18:10

Luksemburg – Vendet e Bashkimit Evropian kanë rënë dakort dje që të rivendosin përkohësisht kontrollet kufitare brenda zonës Shengen në rast rritje të numrit të emigrantëve të paligjshem ose në rast se ekziston një kërcënim serioz për rendin publik e sigurinë e brendshme.

Vendimi është marrë dje nga Ministrat e Brendshëm të 27 vendeve anëtare të BE te mbledhur në Luksemburg. Rregulli i ri parashikon një “mekanizëm emergjence”, sipas të cilit vende të veçanta anëtare mund të mbyllin kufijtë e tyre “si rruga e fundit”, në rast se një tjetër shtet i BE-së nuk kontrollon si duhet kufijtë e tij të jashtëm dhe në rast se “kërcënohet në mënyrë të rëndë” siguria e brendshme e shteteve të tjera, që do të thotë: në rast se si pasojë hyjnë në BE një numër i madh migrantësh të paligjshëm. Koha maksimale për këtë masë do të jetë jo më shumë se dy vjet.

Danimarka e cila mban Presidencën e rradhës së BE e ka përkrahur këtë vendim. Ndërsa Komisionerja për Punë të Brendshme në BE, Sesilia Malmstrom, e ka kundërshtuar vendimin duke shprehur zhgënjim. Kundër ka qënë edhe Presidenti i PE Martin Shulz që e cilësoi vendimin e BE kundërproduktiv duke premtuar se do ta kundërshtojë këtë vendim në PE.

“Lëvizja e lirë brenda një zone pa kufij të brendshëm është shtyllë e Bashkimit Evropian”, tha ai. “Parlamenti Evropian nuk do të pranojë asnjë arsye për kontrollet kufitare pa një mekanizëm të duhur, ku të vlerësohet dhe monitorohet nëse kjo masë është e nevojshme ose jo” është shprehur Shulz.

Ministrat e Brendshëm të Francës dhe Gjermanisë ishin mes zyrtarëve që insistuan për këtë vendim.  “Ne jemi të gatshëm për të vepruar aty ku siguria e qytetarëve tanë është në rrezik”. Është shprehur Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Hans-Peter Friedrich. Marrëveshja mundëson që vendet e BE-së të rikthejnë kontrollet kufitare deri në një vit, në rast të “rrethanave të jashtëzakonshme.

Vendimi i Minstrave të Brendshëm të BE vjen në një kohë kur shumë vende evropiane përballen me krizën ekonomike dhe rrezikun e një emigracioni të paligjshëm që mund të vijë nga vende jashtë Shengen. (LajmeShqip.com)