Lajme Shqip Friday, 18 March 2011 10:38

Bruksel – Bashkimi Evropian e përshëndeti aprovimin e rezolutës 1973 të Këshillit të Sigurimit të KB-së për vendosjen e zonës së fluturimeve të ndaluara mbi Libi dhe kumtoi se është i gatshëm ta implementojë.

Në kumtesën e përbashkët të kryetarit të Këshillit Evropian, Herman van Rompuj dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Eshton theksohet se BE-ja tërësisht e mbështet “kërkesën e KB-së për ndërprerjen e dhunës dhe të gjitha sulmeve mbi civilët”.

Përfaqësuesit zyrtarë të BE-së shprehën brengë për shkak të situatës në të cilën ndodhet populli libian, duke shtuar se “duhet të mbrohet siguria e qytetarëve në çdo mënyrë të mundshme”.

Ministria gjermane e Punëve të Jashtme mbrëmë kumtoi se ky vend nuk do të marrë pjesë në intervenimin eventual ushtarak në Libi, duke theksuar se sheh “rrezik të konsiderueshëm” në rezolutën e cila është aprovuar nga Këshilli i Sigurimit.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesku theksoi se Këshilli i Aleancës sot urgjentisht do të takohet që ta shqyrtojë zbatimin e vendimit për vendosjen e zonës së fluturimeve të ndaluara mbi Libinë.