Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 10:19

Bruksel- Eurozona kërkon nga socialistët dhe konservatorët në Greqi, të cilët do ta formojnë qeverinë e re të koalicionit, që me letër të obligohen se do t’i realizojnë premtimet për uljen e shpenzimeve buxhetore dhe për reforma, para se vendit t’i ndahen hua të tjera.

“Do të kërkojmë nga autoritetet greke që të dërgojnë një letër, të nënshkruar nga dy partitë kryesore, në të cilën konfirmohet angazhimi i vendit për respektimin e masave të dakorduara për rikuperimin e financave publike të Greqisë, si dhe për planin evropian për shpëtim nga 27 tetori”, deklaroi kryetari i Eurogrupit dhe kryeministër i Luksemburgut, Zhan-Klod Junker pas takimit të ministrave të financave nga eurozona në Bruksel.

Letra është kushti, i cili parashtrohet për ndarjen e këstit të ardhshëm prej tetë miliardë eurove në kuadër të planit të parë për shpëtim të Greqisë. Ajo është me rëndësi vitale, e  cila në të kundërtën mund të gjendet në gjendje të insolvencës, theksoi Junker.

“Ndarja e këtij kësti mund të kryhet më së voni në këtë muaj, përderisa të realizohet ky kusht”, deklaroi komisari evropian për çështje ekonomike dhe monetare, Oli Ren.

Eurozona para më shumë se dy javësh u dakordua për ndarjen e këtij kësti, por e ngriu pagesën pas idesë për organizimin e referendumit në Greqi, që më vonë ishte e hedhur poshtë dhe u arrit marrëveshje për formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar në të cilin nuk do të merr pjesë kryeministri aktual Jorgos Papandreu.

“Vendimi vazhdon të vlejë. Presim konfirmim me shkrim, se Qeveria e bashkimit kombëtar i pranon qëllimet e kontraktuara”, deklaroi Junker, duke theksuar se uniteti duhej të arrihej para disa muajve.

Përfaqësuesit evropianë i hodhën poshtë akuzat se po përzihen në punët e brendshme të Greqisë, me atë që bënë thirrje për formimin e qeverisë së bashkimit kombëtar. Sipas tyre, bashkimi kombëtar është i domosdoshëm për vendin duke pasur parasysh sfidat e tanishme.

Junker i hodhi poshtë pohimet për kërkesë të ngjashme për Italinë, sepse ajo nuk është temë e programit ndërkombëtar për ndihmë financiare për dallim nga vendet si Greqia, Irlanda ose Portugalia.

Ministri grek i Ekonomisë, Evangelos Venizelos në Bruksel deklaroi se ndarja e këstit prej 8 miliardë eurove do të kryhet menjëherë pasi që qeveria e re greke me shkrim do ta konfirmojë angazhimin e Greqisë në lidhje me vendimet e sjella në takimin e kreut të eurozonës më 27 tetor.

Ekipi i ekspertëve nga donatorët e Greqisë do ta vizitojnë vendin menjëherë pastaj me qëllim që t’i finalizojnë detajet për planin e dytë për shpëtim të Greqisë, i cili është arritur më 27 tetor, theksoi Venizelos.

Në plan parashikohet shlyerje e 100 miliardë eurove nga borxhi i Greqisë ndaj kreditorëve privat dhe 30 miliardë euro garanca ndaj eurozonës, me qëllim që të binden investitorët që t’i ndërrojnë obligacionet greke me 50 për qind ulje dhe 100 miliardë euro hua të reja ndërkombëtare.