Lajme Shqip Friday, 27 April 2012 07:45

Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, anulloi një vizitë në Ukrainë pas rritjes së shqetësimeve për gjendjen shëndetësore të ish-kryeministres, Yulia Tymoshenko, e cila ka nisur një grevë urie në burg, pasi është rrahur prej gardianëve.

Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, deklaroi se “ishte thellësisht e shqetësuar” në lidhje me zërat se 51-vjeçarja është abuzuar fizikisht.

Sipas një lideri të opozitës në Ukrainë dhe bashkëpunëtor i Tymoshenkos, ish-kryeministrja u godit me grusht në stomak nga një gardian, ndërsa rikthehej në qelinë e saj pas një vizite në një spital.

Gjendja shëndetësore e 51-vjeçares ka ardhur në përkeqësim të vazhdueshëm që prej dënimit të saj me shtatë vite heqje lirie, për shpërdorim detyre në firmosjen e një kontrate madhore gazi me Rusinë, gjatë kohës kur kryesonte qeverinë, në vitin 2009.

Megjithatë, pavarësisht problemeve të Tymoshenkos dhe protestave të vazhdueshme të vendeve perëndimore, që e kanë konsideruar burgosjen e saj si një vendim politik, autoritetet zyrtare mbeten të vendosura në zbatimin e ndëshkimit të dhënë nga Gjykata e Lartë e Kievit.

Duke komentuar kërkesën e BE-së për lirimin e menjëhershëm të lideres së opozitës, presidenti i Ukrainës, Viktor Janukovych ironizoi më parë gjatë prillit duke thënë se “edhe nëse ai do të dëshironte ta lironte, nuk mund ta bënte këtë pasi asnjë udhëheqës shtetëror nuk mund të jetë mbi ligjin”.

Së fundmi, një proçes i ri ka nisur ndaj Tymoshenkos, e akuzuar gjithashtu për evazion fiskal dhe mashtrim me taksat. Nëse akuzat e dyshimta do të provohen, atëherë burgosja e ish-kryeministres mund të zgjatet deri në maksimumin e 18 viteve.